Një zjarr i madh me tre alarme përfshiu mëngjesin e së enjtes një depo autobusësh në lagjen Nicetown të Filadelfias, duke shkaktuar dëmtimin e 40 autobusëve të kompanisë së transportit publik SEPTA. Zjarri, i cili shpërtheu rreth orës 06:15 në terminalin Midvale pranë rrugës Roberts Avenue, tashmë është vënë nën kontroll, por tymi i mbetur vazhdon të rrezikojë cilësinë e ajrit në zonë.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të SEPTA-s, Scott Sauer, të gjithë autobusët e përfshirë në zjarr ishin jashtë përdorimit dhe në proces çmontimi për shitje ose skrap. Nga 40 autobusët e dëmtuar, 15 ishin elektrikë.
“Kur autobusët çaktivizohen plotësisht, të gjithë karburantet dhe lubrifikantët hiqen, bateritë çmontohen dhe shkarkohen,” sqaroi Sauer. “Por kishte disa mjete që ende kishin karburant në to.”
Zëdhënësi i SEPTA-s, Andrew Busch, tha se autobusat e djegur ishin “gati për t’u dërguar në skrap”. Ai siguroi se asnjë nga autobusët në shërbim aktiv nuk ndodhej pranë vendngjarjes apo në rrezik.
Tymi i dendur u pa në pjesë të ndryshme të qytetit dhe autoritetet u bënë thirrje banorëve përreth të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin sa më shumë kontaktin me ajrin e ndotur. Sipas Departamentit të Shëndetësisë të Filadelfias, testet fillestare zbuluan nivele të larta ndotësish në atmosferë.

“E dimë që ajri ende nuk është plotësisht i sigurt,” deklaroi komisionerja e shëndetësisë, Dr. Palak Raval-Nelson. “Rekomandimi im për banorët është të qëndrojnë larg zonës ku ndodhi zjarri.”
Edhe pse të dhënat e mbrëmjes tregonin rënie të ndotjes dhe vlera nën kufijtë federalë, autoritetet këshilluan që banorët përreth të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të mbajnë dritaret mbyllur për siguri.
Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar. Zjarri u vu nën kontroll pak pas orës 08:00, sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Filadelfias.
Në operacionin e shuarjes morën pjesë mbi 150 zjarrfikës, ndërsa ekipet u përballën me vështirësi për të hyrë në oborrin e autobusëve dhe për të dërguar ujë në vendet më të prekura. Punonjës të SEPTA-s ndihmuan në lëvizjen e autobusëve të padëmtuar për t’i hapur rrugë ekipeve të ndërhyrjes.