Një familje në Lyme Bay Dorset në Angli, përjetoi një moment magjik kur një delfin i madh i llojit bottlenose iu bashkua notit të tyre të mëngjesit. Lynda MacDonald, 50 vjeç, së bashku me partnerin, djalin dhe të dashurën e tij, sapo kishin kërcyer nga varka për notin e orës 6:00, kur gjitari detar u afrua papritur për të luajtur me ta.
Pamjet tregojnë delfinin duke “vallëzuar” në ujë, duke kërkuar përkëdhelje në bark dhe duke udhëhequr notuesit me sqepin e tij. Sipas Lynda-s, kafsha ishte e qetë dhe e sigurt, duke shfaqur sjellje miqësore e plot energji. Ekspertët e Dorset Wildlife Trust thonë se bottlenose-t shpesh afrohen në breg dhe njihen për natyrën e tyre shoqërore. Pas pesë minutash lojë, familja vendosi ta linte delfinin të vazhdonte rrugën e tij.










