Jennifer Lopez pati një “të ftuar” të papritur gjatë koncertit të saj të së dielës në Stadiumin Qendror të Almaty-t, Kazakistan. Teksa performonte, një karkalec u ngjit në qafën e saj dhe më pas në pjesën e përparme të fustanit, por këngëtarja 56-vjeçare ruajti qetësinë dhe nuk lejoi që incidenti të prishte performancën.
Pamjet e publikuara në Instagram-in e saj tregojnë momentin kur Lopez, me një buzëqeshje disi të tensionuar, vazhdon të këndojë deri në fund të këngës përpara se ta largojë insektin. “Më guduliste!”, u tha ajo të pranishmëve, të cilët e duartrokitën për profesionalizmin. Ky koncert është pjesë e turneut “Up All Night: Live in 2025”, i cili do të mbyllet këtë të martë në Sardenjë, përpara se Lopez të nisë rezidencën e saj në Las Vegas më 30 dhjetor.