Këto janë pamjet e operacionit të SPAK dhe Policisë së Shtetit për arrestimin e 6 prej të dyshuarve të dosjes së bujshme të trafikut të 6 tonëve kokainë me vlerë 411 mln euro nga Amerika Latine për tregun e Europës dhe më gjerë.
Me kokat ulur, pranga në duart e vendosura pas, dhe të mbajtur nga efektivë specialë, njëri pas tjetrit janë futur në dhomat e izolimit në Polici, ku do i nënshtrohen hetimeve të mëtejshme. Hetimi u krye në bashkëpunim me vende partnere.
Policia ndau pamjet edhe për sekuestrimet, ku bien në sy mjetet luksoze të parkuara jashtë dhe brenda ambienteve në pronësi të të arrestuarve, një pistoletë dhe ora luksoze.
Sipas SPAK, rrjetit ndërkombëtar të trafikut të drogës, i përbërë nga 16 anëtarë të cilët janë identifikuar që të gjithë dhe janë nën hetim, i janë sekuestruar mbi 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme nxori 7 urdhër-arreste, prej të cilëve u arrestuan 6 persona ditën e premte (25 Korrik), ndërsa personi i shtatë është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në pranga janë vënë Artur Hoxhosmani., Klevis Hoxhosmani, Ermir Ndrejaj, Erjon Alibej (i arrestuar më herët), Plarent Dervishaj (i arrestuar më herët) dhe Ilir Lloshaj. Në kërkim është shpallur D.P., i cili ka edhe dy identitete të tjera (D.B. alias E.S.). SPAK thotë se gjatë aksionit për arrestimin e Artur Hoxhosmani, në banesën e tij u gjetën edhe 3 pistoleta pa leje.