Video/Me armë në brez në shëtitoren e Shëngjinit, arrestohet 21-vjeçari

Një 21-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Shëngjin pasi qarkullonte me armë zjarri në shëtitoren e plazhit, duke rrezikuar sigurinë publike në një nga zonat më të frekuentuara gjatë sezonit turistik.

I riu, Klaudio Vuksani, u kap me një armë tip “Scorpion” me fishek në fole, gati për qitje. Gjatë ndërhyrjes së uniformave blu ai tentoi të largohej, por u neutralizua në kohë nga forcat e rendit. Policia sekuestroi gjithashtu municion luftarak, dy celularë, një automjet dhe një motomjet që ndodheshin në posedim të të riut. Hetimet vijojnë për të zbuluar motivet dhe lidhjet e mundshme të tij.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në të dhënat e siguruara për një shtetas që lëvizte me armë zjarri, në Shëngjin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Siguria”.

Gjatë operacionit, në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin K. V., që po mbante një armë zjarri. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, ai ka tentuar të largohet, por është kapur dhe neutralizuar.

Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 1 armë zjarri automatike tip “Scorpion”, me fishek në fole, dhe 2 krehra me municion luftarak për këtë armë.     

Në vijim të veprimeve, shtetasi K. V., 21 vjeç, banues në Lezhë, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.