FLASH :

Video/Mashtronte qytetarët dhe u merrte para, pranga 21-vjeçarit! Përdorte identitet të rremë

Tiranë – Një 21-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi duke përdorur identitet të rremë, dyshohet se ka mashtruar në mënyrë të përsëritur, disa qytetarë, për t’iu marrë para.

Erjon Hoxha u kap në flagrancë, në momentin që shkoi për t’i marrë një shumë parash, një 26-vjeçareje, të cilën e kishte mashtruar dhe më parë.

Policia vijon hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të mashtrimit që mund të ketë kryer 21-vjeçari.

Njoftimi i policisë:

Pas kallëzimit të një shtetaseje, se ishte mashtruar nga një shtetas, të cilit i kishte dhënë disa herë, shuma parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë nisur punën për kapjen e autorit, i cili përdorte identitet të rremë, si dhe për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat i veprimeve operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Strategjia”, u arrestua në flagrancë, teksa po i merrte një tjetër shumë parash, denoncueses, shtetasi E. H., 21 vjeç, banues në Paskuqan.

Vijojnë hetime për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të mashtrimit që mund të ketë kryer 21-vjeçari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.