Pas pamjeve virale me dhjetëra qentë Golden Retriever që vraponin të lumtur në fusha, fshihej një realitet tronditës: kafshë të plagosura, të uritura dhe të lëna në mjerim. Dy qenë u vranë në përleshje të dhunshme, një tjetër humbi organet gjenitale, ndërsa të tjerët jetonin në kushte të ndyra dhe pa ujë të pijshëm.
Pronari i “The Golden Retriever Experience”, Nicolas Eugene Grant St James, 62 vjeç, u dënua me 18 javë burg (me pezullim për 12 muaj), 200 orë punë komunitare dhe ndalim për 10 vjet nga mbajtja e qenve. Gjykata theksoi se ai kishte shpërfillur paralajmërimet dhe kishte vepruar për përfitim financiar, duke mos treguar asnjë pendesë për vuajtjet e kafshëve. RSPCA e cilësoi rastin si shembull të papranueshëm të dështimit në kujdesin më minimal ndaj qenve. Të gjitha kafshët u konfiskuan dhe objekti u mbyll.






