Historia e Ghada-s, një vajze nga Jemeni që u martua në moshën 12-vjeçare dhe në moshën 15-vjeçare priste fëmijën e saj të tretë, është një shembull rrëqethës i një realiteti të përhapur në mbarë botën: martesat e detyruara të fëmijëve. Për shkak të varfërisë ekstreme dhe luftës civile, babai i saj e martoi me një burrë shumë më të madh në moshë. Pasi solli në jetë një vajzë dhe më pas një djalë, Ghada u përball me dhunë, izolim dhe refuzim nga familja e saj për ta rikthyer në shtëpi. Tentativa e saj për vetëvrasje dështoi, por ishte ndërhyrja e një fqinje dhe ndihma nga UNFPA që i dhanë shpresë për një fillim të ri. Ajo mësoi të lexojë, të shkruajë dhe të qepë, duke fituar njëfarë pavarësie ekonomike dhe duke marrë kujdestarinë për fëmijët.
Por Ghada nuk është e vetmja. Çdo sekondë që kalon, një vajzë tjetër në botë martohet – shpesh me burra shumë më të mëdhenj në moshë. Në Afganistan, një vajzë 6-vjeçare u detyrua të martohej me një burrë 45-vjeçar për para. Në Indi, ceremoni martesash ilegale me nuse 5 ose 9-vjeçare janë kapur në kamera. Në vendet e varfra dhe në konflikt, martesa shihet si zgjidhje ekonomike ose mbrojtje kundër dhunës. Statistikat janë tronditëse: mbi 650 milionë gra në botë janë martuar si fëmijë. Në Niger, 76% e vajzave martohen para moshës 18 vjeç. Në Bangladesh, kjo shifër është 51%, ndërsa në Afganistan 29%. As Europa nuk është e përjashtuar: në Rumani, 7% e vajzave martohen para moshës 18 vjeç, kryesisht në komunitete rome.
UNICEF dhe UNFPA po përpiqen të ndalojnë këtë fenomen përmes edukimit, ndihmës ekonomike dhe forcimit të ligjeve. Por rrënjët kulturore, varfëria dhe luftërat kërkojnë më shumë sesa ndihma humanitare: kërkojnë një angazhim global për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve dhe për të thyer ciklin e abuzimit që vazhdon prej brezash.




