FLASH :

Video/Makina merr flakë në lëvizje në autostradën Vlorë–Fier, dyshohet defekt elektrik nga të nxehtit ekstrem

Një incident i rrezikshëm ka ndodhur këtë të martë në autostradën Vlorë–Fier, pranë fshatit Panaja, ku një automjet në lëvizje është përfshirë papritur nga flakët. Dyshohet se temperaturat e larta të ditëve të fundit, të kombinuara me një defekt ose shkëndijë elektrike, kanë qenë shkaktarët e shpërthimit të zjarrit.

Makina, me targa të Vlorës, u përfshi nga flakët teksa po udhëtonte, duke alarmuar drejtuesin dhe kalimtarët. Forcat zjarrfikëse të qytetit mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe arritën të neutralizojnë zjarrin, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve në zonën përreth.

Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, por automjeti është djegur pothuajse plotësisht, siç dëshmojnë edhe pamjet nga vendngjarja.

Ky nuk është rasti i vetëm i tillë këtë verë. Gjatë muajve të fundit, disa automjete janë përfshirë nga flakët për shkak të defekteve teknike të ndikuara nga temperaturat ekstreme, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë teknike të mjeteve në kushte të tejngarkesës termike. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të kryejnë kontrolle të rregullta teknike, veçanërisht gjatë valëve të të nxehtit.