FLASH :

Video/Kush është gazetari në Vlorë që goditi policin me levë? Mjeku zbulon detaje të pathëna mbi dhunimin

Ngjarja e bujshme e ndodhur në një hotel në Vlorë, e komentuar fillimisht si një akt dhune nga një efektiv policie ndaj një kamarieri, po merr një tjetër rrjedhë, ndërsa dëshmi të reja dhe ekspertiza mjekësore hedhin dritë mbi të vërtetën e përmbysur.

Sipas mjekut të urgjencës, Dr. Erges Eskiu, që trajtoi të plagosurin, polici Ardian Isufi është dërguar në gjendje të rëndë në spital, me dëmtime të shkaktuara nga goditje të shumta në trup dhe kokë. Po sipas tij, i pari që e ka goditur policin me levë ka qenë një gazetar, ndërsa më pas dhuna është përshkallëzuar nga disa persona të tjerë.

Në epiqendër të ngjarjes del Vasil Bedinaj, pronar i hotelit luksoz “Regina”, i cili së bashku me disa të afërm të tij dyshohet se kanë rrahur brutalisht policin në fjalë, pas një sherri të nisur brenda lokalit. Burime jo zyrtare pohojnë se Bedinaj kishte një konflikt të mëparshëm personal me policin Isufi, për shkak të një arrestimi të nipit të tij rreth një vit më parë, çka ngre dyshime të forta se incidenti ka qenë i paramenduar si hakmarrje.

Ndërkohë që opinioni publik, i nxitur nga pamjet e para ku dukej një kamarier i dhunuar, brohoriste “i lumtë dora pronarit”, duket se është keqinformuar, pasi pamjet nuk tregojnë gjithë dinamikën dhe përmasat reale të ngjarjes.

Nëse këto rrethana vërtetohen nga hetimet, atëherë pozicionimi publik i kryeministrit Edi Rama, i cili doli në mbështetje të kamarierit dhe jo të efektivit të Policisë së Shtetit, do të mbetet një veprim i rëndë dhe i nxituar institucionalisht, duke nxjerrë “në pritë” një punonjës shteti që po lufton për jetën në spital.

Ngjarja vijon të jetë nën hetim, ndërsa strukturat e brendshme të Policisë dhe Prokuroria e Vlorës pritet të sqarojnë rolin e secilit prej personave të përfshirë, përfshirë edhe gazetarin që dyshohet si nxitësi i dhunës me levë ndaj efektivit Isufi. Deri atëherë, zhurma politike dhe polarizimi shoqëror rreth këtij rasti vazhdon të ndezë debatet në publik dhe në media.