FLASH :

Video/ Kopshtin e shtëpisë e kishte kthyer në parcelë kanabisi – Arrestohet 61-vjeçari në Delvinë me tre akuza

Policia e Sarandës ka arrestuar një 61-vjeçar në Delvinë, i cili kishte kthyer kopshtin e banesës së tij në një parcelë kanabisi dhe akuzohet për tre vepra penale.

Operacioni i koduar “Koordinata”, i zhvilluar pas vëzhgimeve nga ajri, çoi në zbulimin e 17 bimëve të dyshuara narkotike të mbjella përpara një banese private në lagjen “9 Tetori”, të cilat u asgjësuan me djegie nga forcat e Komisariatit të Policisë Delvinë.

I arrestuari është shtetasi Jakup Mehmeti, 61 vjeç, i cili dyshohet gjithashtu se kishte ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit për të siguruar ujitjen e bimëve narkotike, si dhe kishte kryer ndërtime pa leje në banesë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprimet e mëtejshme ligjore për veprat penale: “kultivimi i bimëve narkotike”, “ndërtimi i paligjshëm” dhe “shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”.