FLASH:

VIDEO | Këto janë kushtet e tmerrshme me të cilat përballen çdo ditë banorët pranë Mjekësisë Ligjore, rrezik serioz për shëndetin

Një denoncim i rëndë ka mbërritur në redaksinë e “Lajme Troç”, lidhur me një situatë të jashtëzakonshme ndotjeje që po përjetojnë banorët pranë Mjekësisë Ligjore në Tiranë, përballë Spitalit të Burgut. Sipas dëshmisë së qytetarëve, ambienti është kthyer në një vatër ndotjeje dhe sëmundjesh, ku plehrat, mungesa e dezinfektimit, tymrat dhe sjellja e pahijshme e disa punonjësve të burgut, po e bëjnë jetesën të pamundur.

“Prej muajsh po jetojmë mes mbeturinave që sa vijnë e shtohen. Era është e padurueshme, sidomos kur bie shi. Asnjë dezinfektim nuk është bërë. Për më tepër, përballë kemi një oxhak që lëshon tym të zi e helmon ajrin që marrim,” thuhet në denoncim.

Në materialin e siguruar, dallohet qartë një ambient i mbushur me mbetje spitalore të rrezikshme për shëndetin, pa asnjë ndërhyrje pastruese. Banorët denoncojnë gjithashtu sjelljen e turpshme të disa efektivëve të burgut që urinojnë në publik, në një ambient të hapur, pranë banesave familjare. “Dal me fëmijët dhe përballem me policë që zbërthejnë pantallonat e urinojnë para syve tanë. Kemi familje, kemi gra e vajza – është turp i madh.”

Kjo situatë ngre shqetësime serioze për shëndetin publik, dinjitetin e banorëve dhe funksionimin e institucioneve përgjegjëse. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse për pastrimin, dezinfektimin dhe ndalimin e këtij abuzimi mjedisor dhe njerëzor.

“Nëse nuk reagohet, na mbetet vetëm të shesim shtëpitë e të ikim. Kjo është një zonë që po kthehet në skëterrë,” përfundon denoncimi.