Një incident i pazakontë ka ndodhur më 4 gusht në restorantin “Saffron” në Northampton, ku katër burra shijuan një vakt luksoz me vlerë 197,30 £ dhe më pas u larguan pa paguar. Fatura përfshinte pappadom, qengj të pjekur, katër curry pule, tre chicken chat, një përzgjedhje naan-esh e chapati-sh, si dhe nëntë pije “Coke”.
Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur tre prej tyre presin që kamarieri të largohet, më pas ngrihen ngadalë dhe ecin drejt daljes, për të shpërthyer në vrap sapo kuptojnë se po ndiqen nga dy punonjës të restorantit. Pronari ka raportuar rastin në polici dhe ka publikuar pamjet në Facebook, duke bërë thirrje për identifikimin e autorëve dhe paralajmëruar bizneset e tjera lokale. Northamptonshire Police e ka klasifikuar ngjarjen si vjedhje dhe kërkon informacion nga kushdo që i njeh personat e përfshirë.