FLASH :

Video/Kapet çifti i vëllezërve në kërkim: Kultivuan 400 rrënjë kanabisi në Sheldi

Dy vëllezër të shpallur në kërkim janë arrestuar nga policia e Shkodrës për kultivim të lëndëve narkotike. Emiljan dhe Mikelian Filipi ishin në kërkim që nga 29 prilli 2025, kur në fshatin Sheldi u zbuluan 400 rrënjë kanabisi të kultivuara në një sipërfaqe të konsiderueshme.

Gjykata e Shkodrës kishte caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa sot ata janë vënë më në fund në pranga. Arrestimi i tyre është pjesë e operacioneve të vazhdueshme të policisë për të luftuar kultivimin dhe trafikun e narkotikëve në zonat rurale.

“Finalizohet operacioni “Sheldija” për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, të dyshuar si autorë të kultivimit të 400 bimëve narkotike.

Vihen në pranga dy vëllezërit, ndaj të cilëve Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të një hetimi të ndjekur me metoda proaktive dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, siguruan informacion dhe prova për autorët e dyshuar të bimëve narkotike në fshatin Sheldi.

Bazuar në këto prova, Gjykata caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy vëllezërit.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Sheldija”, u kapën dhe u vunë në pranga:

E. F., 28 vjeç dhe M. F., 20 vjeç,

banues në fshatin Sheldi.

Nga hetimi dhe veprimet në terren, rezulton se E. F. dhe M. F. dyshohen si autorë të kultivimit të 400 bimëve narkotike, të zbuluara nga shërbimet e Policisë gjatë operacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, më datë 29.04.2025, në fshatin Sheldi”, njoftoi Policia e Shkodrës.

Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.