Një skenë kaotike është regjistruar në aeroportin Charles de Gaulle në Paris më 3 korrik, pasi një pasagjere humbi kontrollin dhe u përplas me stafin e linjës ajrore Norse Atlantic Airways, pas anulimit në minutat e fundit të fluturimit për në Nju Jork.
E veshur me bluzë të bardhë dhe pantallona të verdha, gruaja, e cila nuk është identifikuar, shau stafin dhe hodhi në tokë rrobën që kishte në bel, përpara se të ndalohej nga policia franceze. Sipas pasagjeres Erianne Freign, 27 vjeçe, gruaja ndodhej në panik, pasi kishte dy fëmijë me vete, ishte diabetike dhe kërkonte urgjentisht akomodim dhe medikamente.
Pas anulimit të papritur të fluturimit N0301 Paris–Nju Jork, dhjetëra pasagjerë u informuan me email për vonesa të pacaktuara për shkak të problemeve teknike. U kërkua prej tyre të anulonin vetë biletat dhe të gjenin alternativa të tjera, përfshirë rezervimin e vetëfinancuar të hotelit.
Sipas Erianne-s, shumë familje, përfshirë gruan e ndaluar, mbetën në aeroport gjatë natës, pasi nuk mundën të siguronin akomodim apo të gjenin fluturime të tjera për shkak të çmimeve të larta.
Erianne arriti të rirezervonte një fluturim me një kompani tjetër për 952 paund (1,285 dollarë), por ende nuk ka marrë rimbursim nga Norse Atlantic Airways. Kompania nuk ka dhënë ende një koment zyrtar për incidentin.
Skena në aeroport u bë virale, duke nxitur debat për trajtim të pamjaftueshëm të pasagjerëve dhe mungesën e përgjegjësisë nga ana e linjës ajrore.












