FLASH :

VIDEO/ Kaos në “Tokën më të Lumtur në Botë”: Rrahje e egër në Disneyland pas përplasjes për radhën – një vajzë e vogël mes të sulmuarve

Një përleshje e dhunshme shpërtheu në Disneyland Park në Shanghai, pasi disa turistë humbën durimin me personat që kalonin në radhë. Incidenti, që ndodhi pranë atraksionit “Crazy Animal City”, përfshiu dy burra që u kapën për fyti dhe një grua me një kapelë me veshë lepurushi, e cila goditi një nënë dhe vajzën e saj të vogël.

Pamjet e filmuara nga një turist tregojnë momentin kur dy burra, njëri me bluzë të zezë dhe tjetri me të bardhë, fillojnë të përleshen dhunshëm. Gruaja me kapelën e çuditshme, që shoqëronte njërin prej tyre, u përpoq t’i ndante me goditje, por më pas iu drejtua nënës që mbante në krahë vajzën, duke i qëlluar të dyja.

E shokuar dhe në lot, nëna u ul në tokë, duke mbrojtur fort vajzën e saj dhe duke qarë me të madhe. Ndërkohë, burrat vazhdonin të grushtoheshin, ndërsa gruaja me kapelën u rikthye për t’u përfshirë sërish në sherr.

Sipas raportimeve, konflikti nisi për shkak të prerjes së radhës, por më pas u përshkallëzua edhe për një foto që një çift po përpiqej të bënte dhe u pengua nga familja tjetër. Përplasja brutale përfundoi vetëm pas ndërhyrjes së personelit të sigurisë së parkut.

Ende nuk dihet nëse palët do të përballen me pasoja ligjore, por disa media kineze raportojnë se ata mund të përjashtohen përjetë nga hyrja në park. Incidenti shkaktoi tmerr tek turistët e pranishëm, shumë prej të cilëve mbetën të tronditur nga dhuna ndaj fëmijëve.

Ky nuk është rasti i parë i një përleshjeje në Disneyland. Në vitin 2023, një tjetër video u bë virale kur dy familje u konfrontuan fizikisht në zonën midis atraksioneve “Storybook Land Canal Boats” dhe “Mad Tea Party” në Fantasyland.

Edhe aty, konflikti nisi për një kalim mes turmës, ku një familje me veshje të kuqe u kërkua të hapte rrugën, por u përgjigj me arrogancë, çka çoi në një përleshje masive mes të rriturve dhe adoleshentëve.

Zyrtarët e Disneyland shprehën se dhuna nuk tolerohet në asnjë rrethanë dhe çdo person që nxit incidente të tilla do të largohet menjëherë nga ambientet e parkut.