Los Angeles është përfshirë nga trazira të dhunshme për të tretën ditë radhazi pas një vale bastisjesh të ICE në lagjet latino. Protestat kundër politikave të emigracionit të Donald Trump janë kthyer në skena lufte urbane, me makina pa shofer të djegura, motoçikleta që sfidojnë policinë dhe oficerë që bien pre e zjarreve e gurëve të hedhur nga mbiurë e autostradës 101.
I zemëruar nga pamjet, Trump ka shpërthyer në rrjete sociale, duke urdhëruar arrestimin e të gjithë protestuesve që mbajnë maska dhe duke kërkuar: “BRING IN THE TROOPS!”. Rreth 300 trupa të Gardës Kombëtare janë tashmë në terren, ndërsa 1,700 të tjerë pritet të mbërrijnë së shpejti. Gjithashtu, rreth 500 marinsa janë në gjendje gatishmërie.
Përplasje me autoritetet lokale
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, dhe kryebashkiakja e LA-së, Karen Bass, e kanë cilësuar përgjigjen e Trump si “provokuese dhe diktatoriale”. Newsom paralajmëroi një padi kundër administratës federale për shkelje të sovranitetit shtetëror, ndërsa Bass tha se “kjo nuk është ndihma që i duhet qytetit”.
Skena dhune dhe shkatërrimi
- Oficerët e LAPD u sulmuan me gurë, petarda dhe objekte të ndezura.
- Autostrada 101 u bllokua nga protestues të cilët hodhën mjete zjarrvënëse nga mbikalimet mbi makinat e policisë.
- Të paktën 60 persona u arrestuan vetëm të dielën; bilanci i përgjithshëm i të ndaluarve për fundjavën shkon në 89.
- Pesë makina Waymo u dogjën plotësisht, duke shkaktuar rrezik për helmime nga bateritë me litium.
- Në San Francisko, dhuna shpërtheu pranë zyrës së ICE, ku dy policë u plagosën.
Trump: “Do t’i dëbojmë të gjithë” – Demokratët e akuzojnë për përshkallëzim
Trump deklaroi se “LA është pushtuar nga të paligjshëm dhe kriminelë” dhe se “këto revolta vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë për ta çliruar qytetin”.
Kamala Harris dhe Maxine Waters e kanë cilësuar vendimin për dislokimin e trupave si një përshkallëzim të rrezikshëm. Waters, nga vendngjarja, sfidoi trupat federale: “Nëse do më qëlloni, më qëlloni drejt”.
Përplasja kalon në personale
Trump kërkoi falje publike nga Newsom dhe Bass, ndërsa këta të fundit e akuzuan për nxehjen e situatës. Newsom ironizoi përmes MSNBC: “Eja më arresto po pate guxim”.
Në një kthesë të pazakontë, Elon Musk mbështeti Trumpin, duke publikuar pamje të dhunës dhe duke thënë: “Kjo nuk është normale”.
Sfondi i krizës
Trazirat nisën pas bastisjeve të ICE që çuan në arrestimin e 118 emigrantëve, mes të cilëve sipas DHS kishte edhe shkelës të ligjit e kërcënime për sigurinë kombëtare. Por aktivistët i konsiderojnë këto aksione si “sulme ndaj komuniteteve të pambrojtura”.
Situata mbetet e tensionuar dhe autoritetet lokale janë në gjendje të alarmit taktik, me frikën se dhuna mund të rritet me rënien e natës.






