FLASH :

Video/ Kaos në avion: Pasagjeri shpërthen në sharje dhe kërcënime pas “syve të bukur” të një stjuardese

Një udhëtim rutinë me American Airlines është kthyer në një skenë kaosi kur një pasagjer i paidentifikuar shpërtheu në një tiradë të ashpër 12-minutëshe, duke ofenduar stafin e bordit dhe pasagjerët, ndërsa ulërinte përgjatë korridorit të avionit.

Burri, i veshur me një bluzë blu të çelët dhe pantallona bezhë, e nisi shpërthimin verbal duke akuzuar stjuardesat për mungesë respekti, ndërsa më pas kaloi në fyerje dhe kërcënime ndaj udhëtarëve të tjerë që tentuan të ndërhynin. Ai u dëgjua duke bërtitur: “Po më çmendni, më sillni policinë, do i bëj copash! Nuk dini me kë po keni të bëni!”. Në një moment ai pretendon se shkak i reagimit të tij ishte “stjuardesa me sytë e bukur”.

Në pamjet e postuara në rrjetin social X, burri kërkon me ngulm që ekuipazhi t’i sjellë karikuesin nga bagazhi poshtë avionit dhe kërkon kompensim për sjelljen e stafit. Ai madje përmend pa kontekst se po bashkëpunon me reperin Kodak Black. Ndërkohë, pasagjerët rreth tij shihen të alarmuar, duke i kërkuar të heshtë, ndërsa një prej tyre shpërthen: “Mbylle gojën njëherë!”

Në mes të sharjeve dhe pretendimeve absurde, si ai për çmimin e kafesë së Starbucks apo dëshirës për të ndezur një cigare hashashi në bord, pasagjeri kërcënon me largim nga avioni dhe kërkon rimbursim të plotë. “Jam klient besnik, por nuk do kthehem më kurrë. Ju humbët një klient për jetë!”, dëgjohet duke bërtitur.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në rrjet. “Si nuk e nxorën jashtë menjëherë?”, pyet një përdorues. “Më mirë të ulem pranë një bebeje që qan gjithë rrugën sesa këtij tipi,” shkruan një tjetër. American Airlines nuk ka reaguar ende publikisht për incidentin.