FLASH :

Video/Kampionia e botës në sprint arrestohet pas konflikteve fizike me partnerin në aeroport

Pamje të reja nga kamera e trupit të policisë zbulojnë momentet kur kampionia e botës në 100 metra Sha’Carri Richardson, u arrestua muajin e kaluar, pas një konflikti fizik me partnerin e saj Christian Coleman  në një aeroport ndërkombëtar. 25-vjeçarja u ndalua nën akuzën për dhunë në familje në shkallë të katërt dhe u mbajt mbi 18 orë në paraburgim. Incidenti ndodhi pas një debati të ashpër midis çiftit menjëherë pasi kaluan kontrollin e sigurisë.

Pamjet e sigurisë tregojnë sportisten duke e shtyrë partnerin disa herë, duke e përplasur mbi një kolonë mbështetëse dhe, në një moment tjetër, duke i hedhur një objekt drejt kokës – që dyshohet të kenë qenë kufje. Një kënd tjetër i kamerës e tregon atë duke i dalë përpara dhe duke e penguar fizikisht, ndërsa dëshmitarë ishin të pranishëm në vendngjarje. Sipas autoriteteve, raportimi fillestar erdhi nga një punonjës i sigurisë së aeroportit (TSA) dhe jo nga partneri.

Në momentin e arrestimit, sportistja e quajti partnerin e saj “frikacak” dhe e akuzoi se e kishte dhunuar, duke thënë se mund të paraqiste prova. Ajo deklaroi se marrëdhënia e tyre ishte “e dhunshme” dhe se nuk kishte ndërmend të kishte më lidhje me të. Megjithatë, pak ditë më vonë, atletja publikoi një kërkimfalje publike në rrjetet sociale, duke shpjeguar se po kërkon ndihmë profesionale për të reflektuar mbi sjelljen e saj dhe për të shëruar plagët emocionale nga e kaluara.

Partneri i saj, gjithashtu një sportist i njohur, reagoi duke thënë se nuk kishte bërë kallëzim penal dhe se nuk besonte se ajo duhej të ishte arrestuar. Ai e cilësoi situatën si “të pakëndshme për të dy” dhe shtoi se pavarësisht gjithçkaje, e konsideron atë një atlete të jashtëzakonshme dhe një person me potencial të madh për t’u rikthyer më e fortë.

Autoritetet konfirmuan se të dyja palët janë liruar dhe se hetimi po vazhdon për të përcaktuar dinamikën e saktë të ngjarjes.