Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës si po trajtohet procesi i integrimit europian nga mazhoranca, duke theksuar se Shqipëria ndodhet në një moment delikat që kërkon angazhim të vërtetë politik dhe jo slogane boshe.
“Integrimi nuk është një platformë propagande, por një vullnet i qartë për reforma që përmirësojnë jetën e shqiptarëve,” shkruan Tabaku në një deklaratë në rrjetet sociale. Ajo thekson se reformat kërkojnë konsensus dhe përfshirjen aktive të opozitës, ndërsa Partia Demokratike, sipas saj, ka qenë gjithmonë e gatshme të punojë në këtë drejtim.
“Për ne, integrimi i Shqipërisë është një detyrë kombëtare dhe jo një faqe në librin e propagandës,” përfundon Tabaku, duke i bërë thirrje mazhorancës të angazhohet realisht për të çuar vendin përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian.