FLASH :

Video/Jennifer Lopez “kopjon” Elvana Gjatën në koncertin e fundit në Abu Dhabi

Një detaj nga koncerti i fundit i Jennifer Lopez në Abu Dhabi më 29 korrik 2025 ka ndezur debat në rrjetet sociale: këngëtarja me famë botërore është shfaqur me një jumpsuit identik me atë që Elvana Gjata kishte veshur më parë në Festivalin e Këngës “Fest63”, më 23 dhjetor 2024.

Veshja, një krijim i dizajnuar nga Valdrin Sahiti, është kthyer në qendër të komenteve në rrjet, ku fansat shqiptarë kanë theksuar se Elvana e ka veshur e para dhe se një tjetër yll botëror po ndjek stilin e saj.

Nuk është hera e parë që kjo ndodh. Beyoncé, gjithashtu, është shfaqur muaj më parë me një fustan të njëjtë që Elvana kishte veshur në koncertin e saj madhështor në stadiumin “Air Albania”, gjithmonë i stiluar nga Valdrin Sahiti.

Debati në rrjet ka marrë dy kahje: disa përdorues krenohen që një stilist shqiptar si Sahiti arrin të veshë ikonat më të mëdha të muzikës botërore, ndërsa të tjerë pyesin nëse Elvana po bëhet realisht influencë mode për divat ndërkombëtare.

Pavarësisht polemikave, një gjë është e qartë – Valdrin Sahiti po pushton skenën globale, ndërsa Elvana vazhdon të jetë një ndër figurat më me ndikim në stil dhe muzikë jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej saj.