FLASH :

Video/Jahti i pronarit të Manchester City blen 900 mijë litra naftë në portin e Durrësit katër herë më lirë se shqiptarët

Porti i Durrësit mirëpriti mëngjesin e sotëm, për të pestin vit radhazi, një nga superjahtet më luksoze dhe më të mëdha në botë – A+, në pronësi të Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan, zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe pronar i klubit anglez Manchester City.

Ky mjet lundrues, simbol i luksit ekstrem dhe teknologjisë detare moderne, është projektuar nga Tim Heywood dhe me interier të dizenjuar nga Terence Disdale. Jahti strehon deri në 52 mysafirë në 26 kabina dhe ka një ekuipazh prej 79 personash. I pajisur me motorë Wärtsilä Diesel Electric, A+ lundron me një shpejtësi prej 12 deri në 19 nyje.

Së bashku me të, në portin e Durrësit kanë mbërritur edhe dy jahte mbështetëse – M2 dhe Alesund – të cilat do të furnizohen me gjithsej 900 mijë litra naftë.

Por këtu qëndron paradoksi shqiptar i luksit:
Sheiku do të paguajë një taksë luksi prej vetëm 40 cent për litër, përveç çmimit aktual të tregut që është rreth 60 cent për litër. Në total, për 900,000 litra, ai do të paguajë rreth 360 mijë euro, që përkthyer në lekë janë afërsisht 36 milionë lekë.

Në të njëjtën kohë, nëse një qytetar shqiptar do të blinte të njëjtën sasi nafte me çmimin e tregut dhe pa përjashtime, ai do të duhej të paguante rreth 153,900,000 lekë – mbi 4 herë më shumë se çmimi që do t’i kushtojë jahtit luksoz të miliarderit.

Ky “turizëm i naftës” po e kthen portin më të madh të vendit në një pikë strategjike furnizimi për superjahtet, ndërsa arkës së shtetit i sjell të ardhura të shpejta për pak orë qëndrim. Nga vetëm 10 orë ndalesë, Shqipëria përfiton rreth 360 mijë euro vetëm nga taksa e luksit për naftën – pa llogaritur taksat portuale dhe tarifat e shërbimeve të tjera.

Por në rrjetet sociale dhe opinionin publik është ngritur një debat i fortë mbi trajtimin preferencial që u bëhet super të pasurve në raport me qytetarët shqiptarë, të cilët përballen çdo ditë me çmime të kripura për karburantin.