FLASH :

Video/Ja pse e mbron Rama pronarin dhunues të “Reginës”: Dikur delegjitimonte protestat e opozitës

Në një deklaratë publike të dhënë në maj të vitit 2019, Vasil Bedinaj, në atë kohë kreu i operatorëve turistikë për jugun e Shqipërisë, paralajmëronte se protestat e opozitës po dëmtonin rëndë sektorin e turizmit, duke sjellë anulime masive të prenotimeve nga turistët dhe agjencitë ndërkombëtare.

Sipas Bedinajt, shumë turistë të huaj dhe operatorë turistikë po tërhiqeshin nga planet për të vizituar Shqipërinë sapo dëgjonin për zhvillimin e protestave politike, duke e konsideruar klimën të pasigurt për pushime.

“Turizmi nuk është industri prodhuese, por është diçka qejfi. Nëse një turist lexon në mediat ndërkombëtare për trazira në Shqipëri, ai nuk vjen. Ne kemi marrë dhjetëra anulime me motivacionin ‘për shkak të situatës politike në Shqipëri’,” u shpreh Bedinaj.

Ai theksonte se një ndër sektorët më të ndjeshëm ndaj krizave politike është pikërisht turizmi, pasi ndikon në një zinxhir të tërë shërbimesh dhe në të ardhurat e komuniteteve që mbahen nga sezoni turistik.

Deklarata e tij vjen në kontrast të fortë me rolin që Bedinaj ka luajtur në një incident të fundit, ku u përfshi në një konflikt të dhunshëm me një efektiv policie, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë dhe koherencën e qëndrimeve të tij publike.

Dikur kritik i ashpër i opozitës për pengimin e turizmit, sot Bedinaj përballet me akuza për përfshirje në një akt dhune që ka tronditur opinionin publik dhe ka vendosur sërish Vlorën në titujt negativë të medias. Ironikisht, incidenti ndodhi në një nga hotelet e tij, në kulmin e sezonit turistik.