Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Zona”, që çoi në prangosjen e një 18-vjeçari që shpërndante lëndë narkotike në zonën e Plazhit. I riu, K. K., banues në Rrashbull, u kap në lagjen nr. 13 teksa drejtonte një automjet pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit në makinë, u gjetën dhe sekuestruan dhjetëra doza me kanabis dhe qese farmaceutike të dyshuara për paketimin e drogës.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me “Shqiponjat” dhe Komisariatin e Durrësit. Materialet iu referuan Prokurorisë për akuzat “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Njoftimi i policise:
Durrës/Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Zona”.
Shiste lëndë narkotike në zonën e Plazhit, kapet dhe vihet në pranga 18-vjeçari.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Zona”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që shpërndante lëndë narkotike në këtë zonë.
Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi:
K. K., 18 vjeç, banues në Rrashbull, Durrës.
Ky shtetas u kap në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, duke drejtuar një automjet pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan dhjetëra doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa dhe qese farmaceutike, të dyshuara për paketimin e lëndës narkotike.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasit K. K. iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.