FLASH :

Video/Ja çfarë i ndodh deputetit izraelit që përmend termin “gjenocid” në Parlament

Në Parlamentin izraelit, fjala “gjenocid” është kthyer në një kufi të ndaluar – siç e përjetoi vetë deputeti i së majtës Ofer Cassif, nga lista Hadash-Taal. Gjatë një fjale në Knesset, ai citoi shkrimtarin e njohur izraelit David Grossman, i cili në një intervistë për gazetën La Repubblica kishte deklaruar:
“Për vite me radhë jam përmbajtur ta përdor termin gjenocid, por tani, pas pamjeve që kam parë dhe bisedave me njerëzit që ishin atje, nuk mund të shmangem më.”

Cassif nuk bëri tjetër veçse përcolli fjalët e Grossman, por kjo mjaftoi për të ndezur zemërimin e partisë nacionaliste në pushtet, Likud, të udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu. Deputetja Tali Gottlieb reagoi me zë të lartë:
“Nuk do të thuash gjenocid këtu brenda!”, ndërsa deputeti tjetër, Nissim Vaturi, e akuzoi Cassif se kishte sajuar citimin dhe kërkoi dëbimin e tij nga salla.

Situata u përshkallëzua kur stafi i Knessetit ndërhyri fizikisht, duke ndërprerë fjalën e Cassif dhe duke e nxjerrë me forcë jashtë sallës së parlamentit.

Ky incident vjen në një moment tensionesh të larta politike dhe përplasje të ashpra retorike në Izrael, ku përdorimi i termit “gjenocid” lidhur me operacionet ushtarake në Gaza është kthyer në vijë të kuqe – edhe kur vjen si citim nga një prej shkrimtarëve më të respektuar të vendit.