FLASH :

Video/Kompania izraelite e armëve bën marketing me vrasjen e civilit palestinez

Kompania shtetërore izraelite e armëve Rafael Advanced Defence Systems ka publikuar një video promocionale të titulluar “Spike Firefly në luftë urbane”, ku reklamon aftësitë e dronit të saj kamikaz përmes një skene që tregon ndjekjen dhe vrasjen e një personi në Gaza. Pamjet janë shpërndarë në rrjetet sociale të kompanisë dhe shoqërohen me muzikë dramatike ushtarake dhe mbishkrime si: “identifikon objektivin”, “e ndjek” dhe “e neutralizon”.

Droni shihet duke qëndruar pezull mbi një lagje të rrënuar, përpara se të zhytej mbi një njeri që ecte vetëm në rrugë dhe të shkaktonte një shpërthim vdekjeprurës. Nuk është e qartë nëse viktima ishte luftëtar apo civil, por ai nuk ishte i armatosur dhe nuk përfaqësonte rrezik të dukshëm.

Sipas analistit të burimeve të hapura Anno Nemo, vendndodhja e videos është në zonën al-Tawam, në veri të Gazës. Rafael, në postimin promovues, e përshkruan SPIKE FIREFLY si “epoka e re e precizionit për forcat taktike luftarake”, ndërsa kompania nuk ka reaguar ndaj kritikave për përdorimin e vrasjeve reale si mjet marketingu.