Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur këtë të hënë një aksion të gjerë në qytetin e Vlorës për verifikimin e ndërtimeve që po kryhen aktualisht në terren. Gjatë kontrolleve, inspektorët janë ndalur pranë një pallati shumëkatësh në ndërtim e sipër, ndërsa janë duke kryer kontrolle mbi dokumentacionin dhe përputhshmërinë me lejet përkatëse.
Një pallat në qytetin bregdetar të Vlorës është konfiskuar dhe tashmë i ka kaluar shtetit. Konfiskimi vjen në vazhdë të aksionit për lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje. Report Tv siguroi pamjet nga pallati që u konfiskua, i cili është ende në ndërtim e sipër dhe sipas autoriteteve ka shkelur lejen e ndërtimit.
Sipas burimeve nga terreni, verifikimet do të vijojnë edhe në objekte të tjera në qytet, pasi dyshohet për një numër ndërtimesh që mund të jenë jashtë normave ligjore. Po ashtu, mësohet se në Vlorë pritet të kryhet edhe një sekuestrim për një godinë shumëkatëshe, megjithatë ende nuk është bërë e ditur se për cilën ndërtesë bëhet fjalë, pasi operacioni është ende në zhvillim.
“Sot do të bëhet një konfiskim i një kuazi pallati në Vlorë që është në shkelje të lejes së ndërtimit, ky proces synon të bashkojë dy gjëra, s’kemi asnjë minutë për të humbur. Kemi marrë përsipër të mbyllim procesin e legalizimeve. Historia ndërto sot se do legalizohet nesër nuk do te eci me”. Sapo Kryeministri Edi Rama dha paralajmërimin në mbledhjen me deputetët e qarkut të Tiranës, menjëherë në Vlorë u shfaq drejtuesja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici.
Ajo inspektoi pallatin në ndërtim, nga ku deklaroi se ka shkelur lejen e ndërtimit. Bici, e cila thotë se të gjitha subjektet që kanë shkelur apo do të shkelin lejen e ndërtimit, do të kenë të njëjtin fat, pra konfiskimin.
Në vazhdën e kontrolleve, ky objekt do të konfiskohet dhe do ti kalojë shtetit për interes publik. Të njëjtin fat do të kenë të gjithë ato subjekte që rezultojnë me leje ndërtimi, por që kanë ndërtuar në shkelje brutale të lejes së ndërtimit duke cenuar interesin publik. Do inspektojmë objektet me apo pa leje ndërtimi”, tha Bici.
Siç shihet në pamjet e siguruara , leja për këtë pallat me 8 kate është dhënë në korrik të 2021, ndërsa aktualisht punimet ishin në katin e dyte. Zhvillues është kompania ‘Armeer Konstruksion’ dhe Fatmir Halla, ndërsa punimet po i zbatonte firma “Stroytech”.
IKMT pritet të përgatisë një raport të detajuar mbi gjetjet në terren, ndërkohë që kryeinspektorja ka paralajmëruar masa ndaj subjekteve që rezultojnë në shkelje të ligjit për territorin. Mësohet se më herët IMT ka vendosur tre gjoba në Vlorë me 50 milionë lekë secila për shkelje të lejes së ndërtimit.