FLASH :

Video/IKMT vijon aksionin në Theth – Shembet një godinë 3-katëshe e ndërtuar në kundërshtim me ligjin

Aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për rivendosjen e ligjshmërisë në zonën e mbrojtur të Thethit ka hyrë sot në ditën e katërt, duke vijuar me intensitet ndërhyrjet për shembjen e ndërtimeve pa leje.

Në fokus të aksionit të sotëm ka qenë një ndërtesë 3-katëshe me strukturë beton-arme dhe tulla, e ndërtuar në kundërshtim flagrant me ligjin dhe standardet mjedisore.

Kjo është godina e dytë që shembet gjatë ditës së sotme, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se në listën e ndërhyrjeve janë edhe gjashtë objekte të tjera që pritet të shemben në vijim.

Operacioni i IKMT-së po zhvillohet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe institucionet lokale, me qëllim kthimin e zonës turistike të Thethit në përputhje me statusin e saj të mbrojtur dhe ndalimin e çdo ndërtimi të paligjshëm.