FLASH :

Polici me “kallash” në dorë si në luftë që arreston hajdutin e paarmatosur në Lushnje ngre pikëpyetje për protokollet

Policia e Lushnjës ka arrestuar në flagrancë Jani Prençen, 43 vjeç, ndërsa po tentonte të kryente një vjedhje në një banesë brenda qytetit. Sipas njoftimit zyrtar, patrulla ndërhyri menjëherë pas një sinjalizimi dhe e prangosi autorin brenda objektit ku po hynte për të grabitur.

Por ajo që bie në sy nga veprimtaria e Policisë është fakti se një nga efektivët mbante në dorë kallashnikov, një armë luftarake e cila zakonisht nuk përdoret në ndërhyrje të këtij lloji, veçanërisht kur autori është i paarmatosur.

Në praktikën ndërkombëtare, efektivët që patrullojnë në zona urbane janë të pajisur me pistoleta, armë më të lehta dhe më të përshtatshme për ndërhyrje të shpejtë dhe të kontrolluar, pikërisht për të shmangur rreziqet e panevojshme dhe për të garantuar një neutralizim proporcional ndaj kërcënimit real.

Ky episod ngre pikëpyetje mbi protokollet që ndjek Policia e Shtetit shqiptar në situata të zakonshme kriminale. A përdoren armët në përputhje me natyrën e rastit dhe rrezikshmërinë reale? Si do të kishte vepruar efektivi me kallash nëse autori do të largohej me vrap? Do ta qëllonte në një zonë të populluar, apo do të braktiste armën për të ndjekur autorin?

Mënyra e ndërhyrjes e bën të nevojshme një diskutim mbi përdorimin proporcional të forcës dhe armëve në terren dhe mbi nevojën për trajnime të vazhdueshme të efektivëve që të respektojnë standardet më të mira të praktikës policore.

Ndërkohë, 43-vjeçari i arrestuar është nën hetim për përfshirje të mundshme edhe në raste të tjera vjedhjesh, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme. Policia bën të ditur se hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij kriminale vijojnë.