FLASH :

Video/“Hakmarrje me granatë”: Si një grabitje prej £1 milionësh çoi në rënien e bandës më të frikshme të Liverpoolit – dhe zbuloi lidhjet me një oficer të korruptuar

Tre burra me maska dalin nga një furgon i bardhë, ndërsa një i katërt, i veshur si postier, afrohet me një pako. Sekonda më vonë, ata shpërthejnë në një shtëpi dhe ikin me një ngarkesë kokaine prej 1 milion paundësh.

Por nuk kishin goditur një bandë dosido – droga i përkiste “Huyton Firm”, një nga grupet kriminale më të dhunshme dhe të organizuara në Merseyside, me rrënjë që nga fundi i viteve ’90. Pas grabitjes, lideri famëkeq i bandës Vincent Coggins nisi përgatitjet për hakmarrje brutale, duke komunikuar me vartësit përmes EncroChat, një platformë e fshehtë e përdorur nga kriminelët në mbarë Europën – që, siç do të zbulonte më vonë, ishte nën përgjim nga policia franceze.

Dhunë, kërcënime dhe urdhra vdekjeje – të gjitha të regjistruara

Në mesazhet e siguruara nga EncroChat dhe të përdorura si prova në gjykatë, Coggins – me pseudonimin “moonlitboat” – urdhëron njerëzit e tij të gjejnë grabitësit. I ndihmuar nga Thomas Cashman – një vrasës me pagesë i bandës që më vonë u dënua për vrasjen e një vajze 9-vjeçare, Olivia Pratt-Korbel – ata identifikuan gabimisht tre burra që nuk kishin lidhje me grabitjen: Brian Maxwell Jr, Michael Eves dhe Iyobosa Igbinovia.

Në mesazhe të frikshme, Coggins shkruante se do përdorte një granatë dore “pineapple”, ndërsa Paul Woodford, krahu i tij i djathtë, përgjigjej: “E vras bashkë me ty, shok.”

Hakmarrje ndaj të pafajshmëve dhe “pagesa” me tokë

Pavarësisht se i përfshirë gabimisht, babai i Brian Maxwell Jr nënshkroi transferimin e pronës dhe tokës me vlerë mbi £1 milion, duke shpresuar të shpëtonte të birin. Por Coggins nuk e kishte ndërmend të ndalonte. Në një mesazh ai shkruante: “Do i vras kur të qetësohet gjendja. Katër njerëz janë ‘të vdekur duke ecur’.”

Arrestimi dhe rënia e perandorisë

Pas mbylljes së EncroChat më 13 qershor 2020, policia arrestoi Coggins, Woodford dhe të tjerë brenda tre ditësh. Dënimet ishin të ashpra:

  • Vincent Coggins – 28 vite burg për trafik droge dhe shantazh
  • Paul Woodford – 24 vite e 6 muaj
  • Michael Earle – 11 vite
  • Paul Fitzsimmons, përgjegjës për financat – 12 vite e 6 muaj

Krimi që sundonte qytetin

Një banor i Liverpoolit tha për MailOnline:
“Coggins dhe Woody e sunduan qytetin për vite. Ata kishin ‘ushtri’ nëpër lagje si Croxteth e Norris Green. Shumë të rinj përfunduan të përfshirë në të shtëna, zjarrvënie e grabitje vetëm për t’i bërë punën e pistë.”

Polici i dyfishtë dhe lidhje ndërkombëtare

Në mesazhet e EncroChat, përmendet edhe një informator i dyshuar brenda policisë, të cilin e quanin “Piggy”, që dyshohet se jepte informacione të ndjeshme të sistemit kombëtar të policisë për të ndihmuar bandën.

Policia e Merseyside thotë se nuk janë gjetur prova për përfshirjen e ndonjë oficeri, por hetimet anti-korrupsion mbeten të hapura.

Ndërkohë, anëtarë të Huyton Firm jetonin në Spanjë dhe kishin lidhje me kartelet ndërkombëtare si klani Kinahan.

Pavarësisht goditjes, burime të sigurisë thonë se grupi vazhdon të importojë drogë në Mbretërinë e Bashkuar, ndonëse me metoda më të sofistikuara.

Javën e kaluar, vëllai i Vincent Coggins, Francis, u arrestua në Holandë pas një arratie pesëvjeçare, i akuzuar për trafik heroine dhe kokaine.

Nga një grabitje e guximshme te rënia e një perandorie kriminale, historia e “Huyton Firm” tregon se edhe bandat më të pamëshirshme nuk janë të paprekshme – veçanërisht kur teknologjia fillon të punojë kundër tyre.