FLASH :

Video/”Futbollistja më e bukur në botë” Ana Maria Markovic firmos me Brooklyn FC në Superligën amerikane

Sulmuesja kroate Ana Maria Markovic, e cilësuar shpesh nga media si “futbollistja më e bukur në botë”, është transferuar te Brooklyn FC, skuadra që garon në USL Gainbridge Super League, liga më e re e futbollit të femrave në SHBA.

25-vjeçarja do ta ndajë këtë eksperiencë edhe me motrën e saj, Kiki, e cila gjithashtu firmosi me klubin amerikan. “Të firmos me Brooklyn FC është një hap emocionues për mua. Kam luajtur në vende të pabesueshme, por tashmë ndiej energjinë e këtij klubi dhe qyteti. Ndaj këtë përvojë me motrën time dhe kjo e bën gjithçka edhe më të veçantë,” tha Markovic.

E lindur në Split por e rritur në Zvicër, Markovic ka luajtur më parë për FC Zürich, Grasshoppers dhe SC Braga në Portugali. Megjithatë, pas vetëm katër ndeshjesh në Portugali, ajo ndërpreu kontratën me Bragën, duke pranuar publikisht se “nganjëherë e urren futbollin” pas transferimit të partnerit të saj, mbrojtësit Tomas Ribeiro, në një klub në jug të vendit.

Më pas, Markovic u bashkua me SF Damaiense në Lisbonë, përpara se të niste eksperiencën e re në SHBA.

Në nivel ndërkombëtar, ajo ka regjistruar 25 ndeshje dhe 2 gola me kombëtaren e Kroacisë, duke qenë një nga emrat kryesorë të skuadrës.

Markovic, me mbi 2.9 milionë ndjekës në Instagram, është bërë shpesh temë diskutimi për etiketime seksiste ndaj saj në rrjetet sociale. Në një intervistë të mëparshme ajo tha:
“Kur unë postoj një foto me bikini, marr komente seksiste. Por kur Erling Haaland shfaqet me rroba banje, askush nuk e gjykon. Dua të jem një shembull për vajzat e reja dhe të tregoj se futbollistet nuk janë thjesht imazh, por atlete të vërteta.”

Debutimi i saj me Brooklyn erdhi në fitoren 2-1 kundër Tampa Bay Sun FC, ku ajo u aktivizua si zëvendësuese.