Vala ekstreme e të nxehtit dhe erërat e forta kanë shkaktuar zjarrfikje të fuqishme në disa vende të Europës, duke shndërruar qiejt në skena apokaliptike. Në veri të Madridit, një zjarr i fuqishëm detyroi evakuimin e 180 banorëve nga lagje të pasura si Tres Cantos, duke shkatërruar 1,000 hektarë tokë, një qendër hipizmi me 27 kuaj, një strehë gomarësh dhe duke shkaktuar shpërthime pranë një laboratori farmaceutik. Një burrë me djegie në 98% të trupit humbi jetën.
Flakë të tjera u regjistruan në rajonin e Castile dhe Leon ku mbi 800 persona u larguan nga shtëpitë, ndërsa në jug, pranë plazheve turistike të Andaluzisë, rreth 2,000 njerëz u evakuuan në momentet e fundit. Situata kritike po përjetohet edhe në Portugali, Francë dhe Turqi, ku temperaturat mbi 40°C, era e fortë dhe thatësira po përhapin shpejt zjarret. Autoritetet paralajmërojnë se kushtet e motit pritet të favorizojnë shpërthimin e vatrave të reja në ditët në vijim.



