FLASH :

Video/Europa nën zjarr dhe stuhi: Zjarre, përvëlim dhe përmbytje godasin kontinentin në kulmin e sezonit turistik

Europa po përballet me një valë ekstreme moti që po godet fuqishëm destinacionet më të njohura turistike, pikërisht kur miliona pushues britanikë dhe europianë përgatiten për pushimet verore.

Në jug të kontinentit, zjarre të furishme, temperatura përvëluese dhe erëra të forta po shkaktojnë alarm në Itali, Spanjë, Greqi dhe Turqi. Ndërkohë, Franca dhe Gjermania po përjetojnë stuhi të dhunshme, reshje të dendura dhe breshër të madhësisë së topave të golfit.

Në Greqi, ku temperaturat pritet të kapin 43°C këtë javë, autoritetet kanë shpallur alarme shëndetësore dhe janë në gatishmëri të lartë për rrezikun e zjarreve. Në ishullin e Kretës, rreth 5,000 turistë janë evakuuar pas një zjarri që shpërtheu në kodrat e Ierapetrës. Ndërkohë, Italia po lufton me gjashtë vatra aktive në Siçili, me qytetet Palermo, Trapani dhe Catania në alarm të kuq.

Spanja ka humbur mbi 70,000 hektarë pyje vetëm në javët e fundit, me qiellin mbi Madrid që u errësua nga tymi i zjarreve përreth. Franca dhe Gjermania, nga ana tjetër, përballen me stuhi të fuqishme që kanë shkulur çati dhe pemë, lënë mijëra pa energji elektrike dhe shkaktuar viktima e të plagosur.

Sipas të dhënave të BE-së, mbi 227,000 hektarë tokë janë djegur në Europë që nga fillimi i vitit – një shifër shumë më e lartë se mesatarja. Ekspertët paralajmërojnë se gushti pritet të sjellë temperatura mbi normalen dhe reshje të pakta, duke rritur më tej rrezikun për zjarre dhe fatkeqësi natyrore në të gjithë kontinentin.