Europa po përballet me një valë moti ekstrem, me zjarre “apokaliptike” në Francë, tornadë në Kroaci, temperatura përvëluese në Greqi dhe borë të pazakontë në Zvicër. Në jug të Francës, një zjarr i madh pranë Marsejës ka djegur mbi 700 hektarë tokë, ka dëmtuar të paktën 10 ndërtesa dhe ka detyruar mbylljen e përkohshme të aeroportit të qytetit. Rreth 170 zjarrfikës janë mobilizuar, ndërsa tymi i dendur është i dukshëm deri në portin e vjetër të qytetit. Në Aude, pesë persona – përfshirë një fëmijë – janë plagosur dhe 150 të tjerë janë evakuuar, ndërsa më shumë se 2,000 hektarë pyje janë përpirë nga flakët.
Në të gjithë Europën, fenomenet ekstreme kanë qenë të shumta: në Kroaci janë regjistruar disa tornado në brigjet e Istrias; në Greqi, temperatura arriti deri në 42°C, duke detyruar mbylljen e pjesshme të Akropolit; ndërsa në Zvicër reshjet e borës kanë mbuluar rrugët malore në Stelvio Pass, duke ulur vijën e borës nga 5,000 në 2,100 metra. Në Spanjë, zjarri në Tarragona ka përfshirë mbi 3,000 hektarë, duke detyruar 18,000 banorë të qëndrojnë brenda. Ndërkohë, në Qipro e Turqi, dhjetëra vatra zjarri po përhapen me shpejtësi nën efektin e erërave të forta dhe thatësirës. Moti ekstrem po shkakton panik, dëme të mëdha dhe vështirësi të jashtëzakonshme për autoritetet në të gjithë kontinentin.



