Pamjet e reja tregojnë momentin kur frontmeni i Coldplay, Chris Martin, u ndje i kapur në siklet pasi një CEO dhe shefja e burimeve njerëzore të kompanisë së tij u kapën në një përqafim të turpshëm gjatë një koncerti të grupit.

“Nuk di çfarë të bëj,” tha këngëtari mes të qeshurave, ndërsa turma shpërtheu në britma. “Oh s***, shpresoj të mos kemi bërë diçka të keqe.”
Momenti u bë viral kur Andrew Byron, CEO i kompanisë amerikane të inteligjencës artificiale Astronomer, ra në gjunjë, ndërsa kolegia e tij dhe partnerja e dukshme në koncert, shefja e burimeve njerëzore Kristin Cabot, u përpoq të fshihte fytyrën.
Në pamjet origjinale që u panë nga miliona njerëz, Martin bëri shaka me çiftin përpara publikut në stadiumin Gillette në New Jersey: “Ose kanë një lidhje, ose janë thjesht shumë të turpshëm,” tha ai mes të qeshurave të audiencës.

Pasi videoja me “kiss-cam” qarkulloi gjerësisht në rrjetet sociale, Daily Mail raportoi se Byron kishte ulëritur: “F***ing hell, jam unë!” sapo u shfaq në ekranin gjigant të stadiumit. Cabot, 56 vjeç, u shpreh me ton më të përmbajtur: “Kjo është e sikletshme,” sapo kuptoi se ajo dhe Byron ishin zbuluar.
Videoja i bëri të famshëm në rrjet dhe solli një valë të re adhuruesish për Coldplay, të cilët u lavdëruan për “bashkimin e gjithë internetit.”
Grace Springer, 28 vjeçe, fanse e grupit që filmoi momentin, tha për The US Sun se nuk kishte asnjë ide kush ishin dy personat që tronditën stadiumin me reagimin e tyre të pazakontë. “Një pjesë e imja ndjehet keq që u përmbysa jetën këtyre njerëzve,” tha ajo, por shtoi me ironi: “Luan lojëra prej budallai, fiton çmime prej budallai.”

Më pas u mësua se kompania ku punojnë dy personazhet është një nga startup-et më premtuese të inteligjencës artificiale në SHBA, me klientë si Uber, Ford dhe LinkedIn. Firma e Byron, Astronomer, ka një vlerë tregu mbi 1 miliard dollarë dhe që prej marrjes së tij në krye në vitin 2023, ka pasur një rritje marramendëse.
Po atë vit, kompania raportoi një rritje prej 292% të të ardhurave për platformën “Astro.” Vetëm një javë përpara famës së tij virale, Byron kishte dalë në TV-në e New York Stock Exchange për të festuar grumbullimin e 93 milionë dollarëve në raundin e financimit Series D. E quajti investimin “një mundësi të jashtëzakonshme” dhe “shumë emocionuese.”

Kur Cabot iu bashkua si shefe e burimeve njerëzore në nëntor 2024, Byron e përshëndeti me entuziazëm: “Udhëheqja e jashtëzakonshme dhe përvoja e saj e thellë në menaxhimin e talenteve, përfshirjen e punonjësve dhe ndërtimin e strategjive njerëzore do të jenë thelbësore për rritjen tonë të shpejtë.”
Megjithatë, e kaluara e Byron nuk ka qenë e pandotur. Para Astronomer, ai punonte në kompaninë e sigurisë kibernetike Cybereason. Një raport i vitit 2018 përmend ankesat e punonjësve që emërimi i tij si shef i të ardhurave kishte sjellë përçarje të menjëhershme në kompani. Ish-punonjës të ndryshëm thoshin se ai shpërthente ndaj kujtdo që nuk ishte dakord me të. “Nuk mund ta sfidoje,” tha njëri për The Information.
Një tjetër shtoi: “Dikur njerëzit e donin këtë kompani. Tani e urrejnë.” Byron i mohoi akuzat, por pranoi se “vendime të vështira” mund të kenë “zhgënjyer individë të caktuar.”