FLASH :

Video e neveritshme nga aeroporti më i ngarkuar në SHBA: Ujërat e zeza shpërthejnë nga tavani mes pasagjerëve

Një situatë e neveritshme ka ndodhur të hënën në aeroportin më të ngarkuar në SHBA, Hartsfield-Jackson Atlanta International Airport, ku një video tregon momentin kur ujëra të zeza shpërthejnë përmes një paneli tavani, duke përmbytur një nga terminalet.

Pamjet, të publikuara nga Jamaal Carlos Jr., tregojnë një rrjedhje të fortë uji me ngjyrë të errët që bie me presion mbi dysheme, ndërsa pasagjerët e tmerruar mbulonin hundët për t’u mbrojtur nga era e rëndë. “Ujërat derdheshin për 10 deri në 15 sekonda, pastaj tavani u ça plotësisht dhe era ishte e padurueshme,” tregoi Carlos për mediat lokale.

Ai tha se pa copa nga tavani dhe mbeturina që binin mbi njerëz, ndërsa stafi i aeroportit reagoi vetëm pas 5-10 minutash, duke rrethuar zonën me shirita paralajmërues.

“Prisnim që të vendosnin kova ose të bënin diçka, por njerëzit kalonin aty si të mos kishte ndodhur asgjë,” shtoi ai. Sipas tij, edhe pasi u zhvendos në një portë tjetër, era vazhdonte të ndihej deri dy-tre porta më tutje.

Zyrtarët e aeroportit konfirmuan se incidenti ka çuar në mbylljen e përkohshme të Lower North Checkpoint dhe se po bëhen hetime për shkakun e rrjedhjes. “Zona është izoluar dhe ekipet e pastrimit po punojnë për dezinfektimin e plotë,” tha një zëdhënës, duke shtuar se pasagjerët po devijohen për të shmangur vonesat dhe janë në gatishmëri edhe ekipet mjekësore si masë paraprake.

Autoritetet theksuan se operacionet e përgjithshme të aeroportit nuk janë ndikuar nga ky incident, por videoja vazhdon të qarkullojë në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të forta për kushtet higjienike dhe menaxhimin e situatës.