Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në qytetin Santo André të Brazilit, ku një vajzë vetëm tre vjeçe u gjet duke ecur e vetme në rrugë, e mbuluar vetëm me pampersa dhe duke qarë për nënën e saj.
Punëtorë ndërtimi që po riparonin një rrugë në zonë, panë vogëlushen duke ecur zbathur dhe e alarmuar, e cila ndaloi në një kryqëzim rrugësh dhe nisi të qajë me dëshpërim: “Dua mamin tim.”
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur fëmija ndalon pranë një pusi në asfalt, ndërsa një makinë kalon me shpejtësi, dhe nis të qajë para se të përpiqet të kalojë rrugën.
Punëtorët njoftuan menjëherë policinë ushtarake dhe banorët përreth, të cilët i ofruan vajzës rroba për t’u ngrohur. “Ishte bërë blu nga të ftohtit. Thoshte vetëm që donte mamin,” tha një nga punëtorët, Rafael Cruz, për SBT News.
Në vendngjarje mbërriti një orë më vonë gjyshja nga nëna e vajzës, ndërsa e ëma, vetëm 19 vjeçe, u kthye në shtëpi rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe pranoi përballë autoriteteve se e kishte lënë fëmijën vetëm në gjumë për të shkuar në një festë të muzikës “funk”.
Ajo u arrestua dhe akuzohet për braktisje të fëmijës, ndërsa e mitura është marrë nën kujdes nga shërbimet sociale të São Paulos.
“Nuk duhej ta bënte, është gabim,” u shpreh gjyshi nga njerku i saj për mediat lokale. “Është fëmijë, dhe ajo duhet të mendojë për të para çdo gjëje tjetër.”
Ngjarja ka shkaktuar zemërim dhe shqetësim në opinionin publik për mungesën e përgjegjësisë prindërore dhe rrezikun që i kanosej vajzës në mes të natës.


