Në një situatë të tensionuar në Theth, forca të shumta policie dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) zbarkuan këtë të shtunë për të vijuar aksionin e shembjes së ndërtimeve pa leje. Objekt i këtij aksioni ishin ndërtimet e familjes Koçeku, të cilët ishin paralajmëruar 24 orë më parë për t’u larguar nga banesat.
Përplasjet me banorët nuk munguan, ndërsa një incident tronditës u regjistrua kur një banor invalid, me këmbë të prera, tentoi të çajë kordonin policor dhe u përball me dhunë në grup nga efektivët. Në vendngjarje mbërritën edhe deputetët e Partisë Demokratike, Luçiano Boçi dhe Bardh Spahia, në mbështetje të banorëve, duke pasur përplasje verbale me policinë: “Hajde me ne, bëje të fortin!” – dëgjohen të thonë ata.
Pavarësisht tensioneve dhe faktit se Tom Doshi dhe partia e tij morën mbështetje të gjerë në qarkun Shkodër, ai nuk ka bërë asnjë reagim publik për këtë ngjarje..