Pamjet e kamerave të sigurisë kanë kapur momentin tronditës kur një grabitës i njohur i telefonave, Oguzcan Dereli, 27 vjeç, del nga makina me një hanxhar dhe për 13 sekonda sulmon për vdekje Abdul-Latif Pouget, 20 vjeç, nip i baronit Pouget dhe pasardhës i një prej familjeve më të njohura aristokrate në Europë. Viktima, i njohur si “Abz”, ishte një futbollist i talentuar dhe shpresonte të bëhej profesionist.
Sulmi ndodhi më 18 tetor pranë stacionit Farringdon, në Londër, kur viktima ndodhej mbi një motorçikletë. Dereli, i cili udhëtonte me një Ford Focus, ndaloi makinën, nxori hanxharin dhe e sulmoi pa mëshirë. Një plagë në kofshën e djathtë i preu arterien kryesore dhe i shkaktoi gjakderdhje fatale. Pouget luftoi për jetën për tre ditë në spital, por vdiq më 21 tetor.
Gjykata e Old Bailey e shpalli Derelin fajtor për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ai kishte 39 dënime të mëparshme penale, përfshirë vjedhje telefonash dhe trafik droge. Gjatë gjyqit, u përmend se motivi mund të kishte lidhje me një borxh ose një konflikt të mëparshëm.
Në deklaratën e tij, vëllai i viktimës tha: “Kur Abz fitonte medalje, ti vidhje kartela dhe telefona. Ai ishte i dashur. Ti je i frikshëm.” Ndërsa nëna e viktimës u shpreh: “Ai ishte i dashur, i respektueshëm dhe një shembull për të rinjtë. Vdekja e tij theu rregullin natyror të jetës.”
Pavarësisht justifikimeve, gjykatësja Sarah Whitehouse theksoi se Dereli kishte vendosur të shkaktonte dëme të rënda që në momentin që ndaloi makinën dhe mori armën. Ai u dënua me burgim të përjetshëm, me minimum 25 vite që duhet të shërbejë para se të kërkojë lirimin me kusht.



