Pamje tronditëse janë publikuar nga një ceremoni e dyshimtë në Disneyland Paris, e cila u paraqit si “dasmë” mes një 22-vjeçari britanik dhe një vajze 9-vjeçare. Ngjarja u zhvillua pranë kështjellës së “Bukuroshes së Fjetur”, ku rreth 100 të ftuar të ulur, muzikantë, një tortë madhështore dhe dekorime përrallore krijuan një atmosferë festive – që më vonë u zbulua si një mashtrim i organizuar për rrjete sociale.
Sipas mediave franceze, parku u prenotua para hapjes për publikun dhe organizatorët përdorën dokumente të falsifikuara për të siguruar kontratën. Personeli i Disneyland u alarmua kur panë vajzën të trembur dhe të veshur me një fustan nusërie e taka të mbështjella me shirit. Në vendngjarje ndërhyri policia, duke arrestuar britanikun, nënën ukrainase të vajzës dhe dy shtetas të tjerë letonezë.
Hetimet treguan se rreth 200 të rritur dhe 100 fëmijë ishin punësuar si “statistë” për të simuluar një ceremoni martesore luksoze, e cila në fakt nuk ishte e ligjshme. Prokuroria konfirmoi se ngjarja ishte një inskenim për qëllime mediatike, por të dyshuarit tashmë përballen me akuza për mashtrim dhe abuzim me besimin ndaj Disneyland Paris.
Sipas autoriteteve, vajza nuk ka shfaqur shenja dhune, por rasti ka hapur një hetim penal për mashtrim dhe pastrim parash. Dy të arrestuarit do të paraqiten sot para gjykatës në Meaux. Disneyland ka sqaruar se ka mbyllur menjëherë aktivitetin dhe po bashkëpunon me hetuesit për të zbardhur ngjarjen.














