FLASH :

Video/Braçe vë në siklet Ristanin: Ujërat e zeza të Kodrës së Diellit përmbytin “Komunën” me 5 minuta shi

Erion Braçe ka reaguar ashpër ndaj bashkisë së Tiranës dhe kryetares Anduela Ristanit, duke denoncuar përmbytjen e përsëritur të një lagjeje në pjesën e sipërme të Komunës së Parisit, përballë nënkalimit të Kodrës së Diellit, nën Unazën e Madhe.

Në një postim të drejtpërdrejtë dhe kritik, Braçe deklaron se ujërat që kanë pushtuar rrugën nuk janë të reshjeve, por ujëra të zeza që vijnë nga pjesa e sipërme e Kodrës së Diellit, përmes tre pusetave ekzistuese, të cilat sipas tij janë shumë të vogla dhe të pamjaftueshme për të përballuar prurjet.

“Qysh në shkurt, bashkë me banorët kemi identifikuar problemin. Nuk është çështje shiu – janë ujëra të zeza që vijnë nga lart. Tani kjo është bërë e përhershme! Lagjja është në hall!”, shkruan Braçe, duke i bërë thirrje Bashkisë të ndërhyjë menjëherë për zgjidhje.

Banorët e zonës, sipas tij, po përballen me ndotje dhe rrezik për shëndetin, ndërsa mungesa e ndërhyrjes nga institucionet lokale po i bën problemet më të mëdha dhe të përsëritura. Braçe i kërkon zyrtarisht Bashkisë së Tiranës që të zgjerojë infrastrukturën e kanalizimeve dhe të ndalë këtë situatë që po degradohet në një krizë urbane.