FLASH :

VIDEO/ Bleu një nga veshjet më ikonike të princeshë Dianës, mes lotësh koleksionistja bie në gjunjë

Shtëpia e ankandeve “Julien’s Auctions” në Los Angeles përjetoi një nga momentet më prekëse të këtij viti, kur koleksionistja Renae Plant shpërtheu në lot dhe ra në gjunjë nga emocionet, sapo fitoi në ankand një nga veshjet më të dashura të Princeshës Diana, fustanin blu me lule të markës “Bellville Sassoon”, të njohur si “Fustani i Kujdesit”.

Ky fustan, i veshur nga Diana të paktën nëntë herë gjatë fundviteve ’80 dhe fillimviteve ’90, simbolizon më shumë se thjesht stilin e saj. Ai mishëronte empatinë dhe ndjeshmërinë me të cilat ajo vizitonte të sëmurët në spitale, duke fituar dashurinë e publikut në mbarë botën.

Renae Plant, themeluese e Muzeut të Princeshës Diana, pagoi 400,000 dollarë për këtë fustan, një pjesë nga gjithsej 1.9 milionë dollarë të shpenzuara për 35 objekte të princeshës në një ankand të vetëm. Për të bërë të mundur këtë blerje, Plant dhe bashkëshorti i saj hipotekuan shtëpinë, për herë të katërt.

“Nuk jemi të pasur. Të gjitha fondet tona vijnë nga donacione. Çdo herë që bëjmë blerje të tilla, rrezikojmë gjithçka, sepse kjo trashëgimi është e shenjtë për ne,” tha ajo për People.

Për Renae-n, kjo veshje ka edhe një domethënie thellësisht personale. Ajo e takoi Princeshën Diana në moshën 18-vjeçare, gjatë një turneu në Australi. Ai moment i shkurtër, por jetik, e frymëzoi të përkushtohej në ruajtjen e kujtimit dhe trashëgimisë së saj.

“Ky fustan përfaqëson gjithçka që ishte Diana: mirësinë, humanizmin, përkujdesjen. Ai është vetë zemra e muzeut tonë,” shpjegoi ajo mes lotësh.

Plant e nisi muzeun online në vitin 2019, dhe sot ai numëron mbi 2,700 objekte personale të Princeshës. Koleksioni i saj konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë në botë dhe së shpejti do të udhëtojë në qytete të ndryshme përmes ekspozitave ndërkombëtare.

Por ëndrra e saj më e madhe mbetet: ta rikthejë koleksionin në Mbretërinë e Bashkuar, në një vend të përhershëm, “aty ku i përket”. Një hapësirë që do të ruajë trashëgiminë e Lady Di për brezat që do të vijnë.

“Disa blejnë këto veshje për t’i veshur. Ne i blejmë për t’i ruajtur, për t’u treguar brezave historinë e një gruaje që nuk ishte vetëm princeshë, por simbol shprese dhe dhembshurie,” përfundoi ajo.