FLASH :

Video/Biznesmeni agresiv rreh një grua në aeroport – Arrestohet pas dhunës brutale ndaj juristes

Një skenë tronditëse ka ndodhur në aeroportin El Dorado në Bogotá të Kolumbisë, ku një biznesmen i zemëruar, Héctor Santacruz, ka goditur me grusht dhe ka rënë me shuplakë një juriste gjatë një debati për një vend uljeje në terminalin e aeroportit.

Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje pranë portës 9, ku Santacruz iu afrua Claudia Segura, një juriste dhe kontraktuese në sektorin publik, dhe i kërkoi të ngrihej nga vendi që ajo kishte zënë. Shkak i debatit ishte dëshira e tij për të qenë ulur pranë bashkëshortes së tij, Karen de Santacruz.

Sipas dëshmitarëve dhe videove të publikuara, Segura refuzoi t’ia lëshonte vendin, pasi ai nuk ishte i rezervuar. Në momentin që debati u përshkallëzua, Santacruz i rrëmbeu telefonin nga dora dhe e goditi fort në fytyrë dhe kokë, duke i shkaktuar dëmtime fizike – deri në pikën që, sipas Segurës, goditja i rrëzoi edhe vathët nga veshi.

Tre udhëtarë, mes tyre një grua, ndërhynë për të mbrojtur Segurën dhe e larguan agresorin, ndërsa vetë gruaja e Santacruz-it, Karen, u përfshi në përleshje duke u përpjekur të ndalonte burrin e saj. Në një tjetër video, Segura shihet e shtrirë në dysheme duke marrë ndihmën e parë nga punonjës të aeroportit.

Pas incidentit, policia arrestoi Santacruz-in dhe e shoqëroi jashtë terminalit, ndërsa Segura u dërgua për trajtim mjekësor në një qendër urgjence në Engativá. Ajo u detyrua të ndante të njëjtin automjet me sulmuesin e saj, çka e përjetoi si një moment traumatizues.

“Jam e tronditur dhe kam shumë frikë,” tha Segura për median lokale El Tiempo, duke shtuar se i ishte afruar një vendi të lirë për të punuar me laptopin dhe nuk kishte parë asnjë shenjë që vendi ishte i zënë.

Pasi ngjarja mori dhenë në rrjetet sociale, bashkëshortja e agresorit, Karen de Santacruz – një stiliste e njohur – publikoi një video-mesazh ku kërkoi falje publike dhe dënoi veprimet e bashkëshortit të saj:

“Personi që shihet duke goditur fizikisht një grua është bashkëshorti im. Dhe nuk e keni idenë sa shumë më dhemb ta them këtë. Si grua, si nënë, si themeluese e markës sime, e dënoj nga zemra këtë akt,” u shpreh ajo.

Karen theksoi se nuk e justifikon dhunën dhe nuk do të heshtë, duke shtuar: “Besoj në dinjitet, kufij dhe respekt.”

Ngjarja ka shkaktuar indinjatë të gjerë në Kolumbi dhe më gjerë, ndërsa autoritetet pritet të ngrenë akuza për agresion fizik dhe kanosje ndaj Santacruz-it. Reagimet e ashpra në opinionin publik pritet të ndikojnë edhe në pasojat ligjore dhe sociale për biznesmenin dhe markën e bashkëshortes së tij.