Kreu i PD Sali Berisha nuk është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku zakonisht shkon për të respektuar detyrimin e paraqitjes që i është caktuar nga autoritetet gjyqësore. Burime pranë stafit të tij kanë bërë me dije se Berisha është i sëmurë me grip dhe nuk ka mundur të dalë nga banesa.
Prej muajsh, çdo paraqitje e tij në SPAK është shoqëruar me vendosjen e një podiumi para ambienteve të kësaj prokurorie, ku ai mban deklarata për mediat dhe për një numër mbështetësish. E njëjta skenë ishte përgatitur edhe sot në mëngjes, por mungesa e papritur e liderit historik të PD-së bëri që podiumi të çmontohej, ndërsa mbështetësit u larguan.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar nëse mungesa e tij do të sjellë pasoja ligjore apo do të justifikohet nga një raport mjekësor.







