Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në mesditë në Bangkok, ku një burrë 61-vjeçar i identifikuar si Nai Noi vrau gjashtë persona në një treg të njohur ushqimor, përpara se të vetëvritej në një stol pranë vendit të krimit. Ngjarja ndodhi në tregun Or Tor Kor, në zonën Chatuchak, një pikë turistike e frekuentuar, rreth orës 13:00 me orën lokale.
Sipas policisë, pesë nga viktimat ishin roje sigurie, ndërsa një kalimtar mbeti i plagosur. Pamjet nga vendngjarja tregojnë autorin teksa hyn me armë në treg, duke shkaktuar panik dhe ulërima mes qytetarëve. Autori, i veshur me bluzë të zezë dhe pantallona të shkurtra ngjyrë bezhë, mbante një çantë kamuflazhi dhe armën në dorë.
Hetimet paraprake tregojnë se motivi ishte një konflikt personal i vjetër me një nga rojet e sigurisë, që daton që prej vitit 2019, kur Noi akuzoi rojën se i kishte çarë gomat e makinës së gruas së tij. Policia tha se autori ishte konsumues i rëndë i alkoolit dhe kishte shfaqur më parë sjellje të dhunshme në familje.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Tajlandë, një vend ku incidentet me armë janë në rritje për shkak të qasjes së lehtë në armë zjarri dhe mungesës së kontrollit efektiv. Autoritetet kanë nisur një hetim urgjent dhe po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të dokumentuar të plotë ngjarjen.



