FLASH :

Video/Arrestohet 35-vjeçari që linte rrugët në errësirë duke vjedhur kabujt elektrikë të ndriçimit publik

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 35-vjeçar të dyshuar për disa raste të vjedhjeve të kabujve elektrikë të ndriçimit rrugor në zona të ndryshme të qytetit, duke shkaktuar mungesë ndriçimi në disa segmente rrugore.

I arrestuari është identifikuar si Amaraldo Vezi, banues në Durrës. Ai dyshohet se ka kryer vjedhje të përsëritura të kabujve elektrikë, duke cenuar sigurinë publike dhe qarkullimin gjatë natës.

Operacioni policor i koduar “Light” u finalizua pas një hetimi të vazhdueshëm dhe në bashkëpunim me qytetarët. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës bënë të mundur ndalimin e shtetasit A.V., ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar raste të tjera të mundshme të vjedhjeve të kryera prej tij.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.