Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 43-vjeçarin Saimir B., babai i vajzës 17-vjeçare që tentoi t’i jepte fund jetës disa ditë më parë duke qëlluar veten me armë zjarri në banesën e gjyshit të saj. Ai akuzohet për “Dhunë në familje” dhe “Shkaktim të vetëvrasjes”.
Pavarësisht kërkesës së mbrojtjes për një masë më të butë sigurie, gjyqtari Bevil Beqiraj pranoi kërkesën e prokurorisë, duke vendosur masën më të rëndë. E mitura ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa në hetim është vënë edhe gjyshi i saj. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe gjetjen e armës së përdorur, e cila dyshohet se është fshehur nga familjarët.







