FLASH :

VIDEO/ Aktivisti palestinez filmon momentet e fundit para se të vritej nga një kolon izraelit

Pamje tronditëse të siguruara nga organizata izraelite për të drejtat e njeriut B’Tselem tregojnë momentin kur aktivisti palestinez për të drejtat e njeriut, Awdah al-Hathaleen, filmon kolonin izraelit Yinon Levi duke i qëlluar me armë. Videoja, e xhiruar nga vetë al-Hathaleen, ndërpritet menjëherë pasi ai bie i plagosur.

Ngjarja ndodhi më 28 korrik në fshatin Umm al-Kheir, në kodrat jugore të Hebronit, kur Levi i njohur për dhunë ndaj palestinezëve dhe i sanksionuar më parë nga SHBA hyri me eskavator në komunitetin palestinez Masafer Yatta. Banorët tentuan ta largonin, por ai hapi zjarr duke e lënë të vdekur al-Hathaleen.

Megjithë provat filmike, policia izraelite e liroi Levi-n nga paraburgimi ditën pas ngjarjes dhe e vendosi në arrest shtëpie, duke pranuar pretendimin e tij për vetëmbrojtje. Më 1 gusht, ai u lirua plotësisht, ndërsa më 4 gusht u filmua sërish duke hyrë në tokën e Um al-Kheir, këtë herë i shoqëruar nga një tjetër kolon i armatosur.

Rasti ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, duke u parë si një shembull tjetër i imunitetit të plotë që gëzojnë kolonët dhe forcat izraelite përballë dhunës ndaj palestinezëve, si në Gazë, ashtu edhe në Bregun Perëndimor.