Përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë ndërkombëtarë kanë ngritur zërin ndaj ndotjes së vazhdueshme të lumit Vjosa, duke e cilësuar situatën si një krizë mjedisore që po përkeqësohet çdo ditë, ndërsa qeveria shqiptare nuk po vepron. Në një deklaratë publike të shpërndarë online, ata shprehen se ndotja nga kompania e bitumit në Selenicë është vetëm një nga shembujt e dhunimit të parkut kombëtar.
“Qeveria shqiptare thotë se shumë nga kërcënimet ndaj lumit Vjosa janë ‘probleme të vjetra’, por faktet janë këto: Problemet po vazhdojnë pa pasoja. Qeveria ka pasur vite për të vepruar. Ndotja po përkeqësohet,” thuhet në deklaratë. Aktivistët shtojnë se “këto nuk janë thjesht probleme – janë krime mjedisore”.
Ata i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare që:
Të ndalojë ndotjen
Të zbatojë mbrojtjen ligjore të parkut kombëtar
Të angazhohet publikisht për zgjidhje reale — me një afat të qartë veprimi.
Fushata ka nisur një thirrje publike për mbështetje ndërkombëtare, ndërsa aktivistët kërkojnë që qytetarët të bashkohen në presionin ndaj autoriteteve, përmes linkut në bio-n e tyre zyrtare.