Policia Rrugore e Vlorës ka publikuar bilancin e tre ditëve të para të korrikut, ku janë vendosur rreth 200 gjoba për parkim të gabuar dhe 25 automjete janë larguar me karrotrec për bllokim të rrugëve dhe trotuareve.
Në njoftimin zyrtar, Policia thekson se kontrollet janë shtuar për shkak të fluksit të pushuesve dhe automjeteve gjatë sezonit veror. Shkeljet më të zakonshme kanë qenë parkimi në rrugëkalime për këmbësorë dhe në akse ku pengohej qarkullimi i mjeteve të tjera.
Efektivët apelojnë për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor, duke paralajmëruar se do të vijojnë kontrollet në të gjitha rrugët urbane dhe ndërurbane të qarkut. Drejtuesit që parkojnë në mënyrë të gabuar do të ndëshkohen me masa administrative dhe automjetet e tyre do të tërhiqen menjëherë me karrotrec.